Kryeministri Haradinaj: Falë ndihmës së donatorëve, Kosova sot, është dukshëm vend më i mirë për të jetuar

Nën kryesimin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u mbajt takimi i Forumit të Nivelit të Lartë për koordinimin e donatorëve, i bashkëkryesuar edhe nga ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Në fjalën e tij, kryeministri Haradinaj, tha se i gjithë populli i Kosovës, të gjitha komunitetet, bashkësitë etnike që jetojnë në Kosovë i falënderojnë donatorët në tërë këto 20 vjet, për bujarinë e treguar, për taksapaguesit dhe institucionet e tyre.

“Falë kësaj ndihme tuaj, Kosova sot është dukshëm vend më i jetuar, një vend që ka dalë prej luftës, ka progres në reformat e brendshme, shoqërore, administrative e qeverisëse, ka shoqëri civile më të zhvilluar dhe ka një nivel shoqëror të vendit tonë, që aspiron t’i takojë familjes së popujve euroatlantik”, tha kryeministri Haradinaj, duke bërë thirrje që edhe nëse Kosova bën ndonjë lëshim, donatorët të mos e zbehin përkrahjen.

Kryeministri Haradinaj, shtoi se në Kosovë, më ndihmën e donatorëve, nuk është krijuar një parazit, por që kanë nxitur në vetëdijen, në progresin dhe zhvillimin e saj dhe kësisoj meriton një bashkëpunim të ndërsjellë të popullit të Kosovës, të institucioneve me përfaqësues të vendeve, të institucioneve donatore.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, falënderoi të gjithë donatorët për kontributin e tyre të vazhdueshëm në shtetndërtimin dhe shtetkonsolidimin e Kosovës në të gjitha dimensionet e mundshme.

“Me vetëm 11 vjet shtet Kosova ka arritur që të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE duke nënshkruar MSA-në, zbatimi i së cilës është progresiv që nga 1 prilli 2016 kur edhe ka hy në fuqi kjo marrëveshje. Si shteti më i ri dhe me proevropian në Evropë, Kosova do të vazhdojë me implementim dhe një dinamikë të shtuar të zbatimit të MSA-së për t’i hapë rrugë marrjes së statusit të kandidatit për anëtarësim në BE”, tha ministrja Hoxha, duke theksuar se pa ndihmën e donatorëve Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, tha se, Bashkimi Evropian është partneri më i madh i donatorëve sa i përket mbështetjes financiare të Kosovës.
“Gjatë udhëtimeve të mia rreth Kosovës, jam dëshmitare e ndikimit të asistencës sonë dhe kjo vërtetë ka përmirësuar jetët e njerëzve”, theksoi Apostolova.

Në fund, kryeministri Haradinaj, duke mirëpritur të gjitha diskutimet tha se të gjeturat e takimit të sotëm do të na ndihmojnë në implementim më tutje.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj tha se do t’i propozojë Qeverisë ndarjen e një donacioni për renovimin e Katedrales Notre Dame, në shenjë mirënjohje për ndihmën që i është dhënë në vazhdimësi Kosovës.