Home » Kulturë » Një ese e pazakontë e Eqrem Çabejt për Fan Nolin

Një ese e pazakontë e Eqrem Çabejt për Fan Nolin

Loading...

Dijetari Eqrem Çabeji gjatë jetës së tij, i ka shkruar disa portrete, me një stil epigramatik, për figura të mëdha të kulturës shqiptare dhe botërore. Ai ka shkruar katër shkrime të shkëlqyera për Maximilian Lambertz. Ka shkruar për Nobert Joklin, për Angelo Leotin, Gerhard Rolfsin, Xh. Skiroin, V. Pisanit, K. Tajlerit, H. Buasenit, S. Manit, De Simones, V. Georgievit, A. Katichichit, A. Rosetit, V. Bubenit etj.

Në një shkrim të mëparshëm kam folur për esenë e pazakontë të Eqrem Çabejit, të cilën e shkroi 21 vjeç, më 1929 për poezinë e Lasgush Poradecit.

Eqrem Çabeji ka shkruar mrekullisht edhe për linguistin e shquar shqiptar, Aleksandër Xhuvani. Por, mbi të gjitha spikat eseja e tij për Fan Nolin. Kjo ese u botua në revistën “Nëntori”, nr.4, viti 1965. Fan Noli sapo kishte vdekur në Amerikë. Lajmi i vdekjes së Fan Nolit shkaktoi tronditje dhe një numër shkrimtarësh dhe studiuesish me këtë rast bënë vlerësimet e tyre për këtë figurat ë madhe dhe universale të Shqipërisë. Në të gjithë koleksionin e shkrimeve “In Memoria” për Fan Nolin eseja e Eqrem Çabejit është më e sakta, me një stil të fuqishëm Eqrem Çabeji portretizon profilin madhështor dhe shumëdimensional të Fan Nolit. Kjo ese mbetet si një model mendor, një modus vivendi , si mund të shkruhet mbi një figurë që vjen shumë rrallë në histori, që buron nga thelbi i shekujve.

Eqrem Çabeji nuk mëton të tregojë se Fan Noli si shkrimtar, përkthyes, poet dhe dijetar është njeriu pa ekselence, pikërisht prototipi i krijuesit, sepse Fan Noli ka “diçka demoniake, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, qetësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.”

Mendoni për një çast se kjo fjali e shkruar dhe botuar në shtypin letrar të politizuar të Shqipërisë më 1965. Askush tjetër nuk do të guxonte të përcaktonte se një intelektual mund të simbolizonte në vetvete “diçka demoniake”. Këtu nuk kemi të bëjmë as me një metaforë teologjike, as për një figuracion sui generis për të bërë të krahasueshme diçka që është shumë e vështirë të krahasohet. Por, Eqrem Çabeji posedon, krejtësisht i vetëm në rastin e vlerësimeve për Fan Nolin, një liri të veçantë të të shprehurit dhe një formë vetiake dhe filozofike të fjalëve përcaktuese për Fan Nolin.

Më poshtë është teksti i plotë.

* * *

FAN NOLI YNË

Në këto çaste, në mes të kaq shkrimtarëve, një njeri që s’është shkrimtar e ka vështirë të thotë një fjalë të vetën për një personalitet shkrimtari me një format të tillë siç është Fan Noli.

Në qoftë se fjala që vepra e një shkrimtari është pasqyra më e vërteta e forma mentis dhe e shpirtit , ësht’ e drejtë, atëherë vjershat që shkroi ky poet dhe veprat e shqipëruara ,që na ka lënë përfaqësojnë në kuptimin e tyre simbolik që në krye e gjer në fund një konfesion të vetëm, credon e një njeriu e të një jete.

Në këtë kuptim nuk është gjë e rastit që Fan Noli mori e përktheu një varg tragjedish nga të Shekspirit, në të cilat përpjekjet për liri sociale dhe konfliktet e brendshme shpirtërore janë ndërthurur në një mënyrë si moskund në literaturën botërore; ai që shqipëroi disa drama të Ibsenit, Don Kishotin e Cervantesit, Rubajatet e Omar Khajamit, disa vjersha të Edgar Poes, Baudelarei-rit e të tjera; dhe që në kohën e qëndrimit të tij si emigrant politik në Mauern afër Vjenës pas fjalëve të mikut të tij Norbert Joklit u muar për një kohë të gjatë me planin e përkthimit të Faustit e Goethes, duke studiuar dhe disa nga komentarët e kësaj vepre.

Nuk është gjithashtu një gjë e rastit që ai shkroi Historinë e Skënderbeut dhe ato vjersha që shkroi. Kudo në këto vepra – në krijimet e veta e në përkthime është përdorur fryma komplekse e shkrimtarit.

Ai i ka jetuar ato, ka jetuar ai vetë nëpër to, në figurat heronjve.

Kudo në këto na shfaqet, ku më çelët, ku më mbyllur, shpirti i autorit të tyre.

Ai na del pa dashur si te Bruti, ashtu dhe te Hamleti, te Don Kishoti ashtu si te Omar Khajami, te profeti Moisi ashtu si te Galileasi (Krishti), te Prometeu i mbërthyer e te Armiku i popullit, që në të vërtetë është miku i vërtetë i tij.

Revolucionarë e profetë, portë e dashamirë aktivë të njerëzimit janë po aq mishërime të unë-s së tij, nëpër ta shprehet ai vetë.

Në këtë vështrim dhe shqipërimet në një kuptim më të thellë janë krijime të tij.

Fan Noli si për formimin e tij poetik si për shprehjen gjuhësore qëndron më vete në literaturën shqiptare. Ai nuk është poeti i lartësive eterike, po është shkrimtar i plisit të dheut.

Është një Ante i literaturës sonë, që i merr fuqitë prej mëmës tokë. Ai ka të vetën diçka demonike, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.

Në fushën e kësaj literature ai nuk është një fill bar, që sot bleron e nesër thahet; nuk është as lule, që sot shkëlqen e nesër vyshket.

Ai na paraqitet si një lis i moçëm e plot gdhenj: lis i vetmuar, po me rrënjë ngulur mirë në të thellat e dheut. E këtillë mbetet edhe gjuha e tij.

Ne këtë nuk ndihet ëmbëlsia e flladit të verës sesa furia e murrërit të dimrit. Ajo nuk ka aromën e luleve, po ka erën e shëndoshë të dheut. Ka dhe diçka prej pikash të rënda e të idhëta, në të shprehet ana e rëndë e jetës shqiptare.

Në këtë poezi shihet sa mund të jetë gjuha shqipe e ashpër e vrazhdë, dhe e fortë në ashpërsinë e saj.

Me zhdukjen e këtij njeriu të rrallë një valë pikëllimi përshkoi anembanë botën shqiptare, kudo ku i thonë bukës ujë e ujit ujë. Po kjo nuk është një valë dëshpërimi.

Noli nuk është një madhësi efemere

Fjala e tij nuk është nga ato që i merr era.

Në këtë botë shqiptare të cilën ai e deshi me të gjitha fijet e zemrës, ai mbetet i gjallë ndër ne, si sot në ditët që do të vijnë.

* * *

Fan Noli është analizuar nga Çabeji bazuar në botën e shkrimeve noliane. Për fat të keq, për shkak të një vonese të botimit të disa dorëshkrimeve të panjohura ta Fan Nolit, Çabeji nuk kishte si të lexonte dy studime relativisht të gjata të Fan Nolit, për liguistikën, etimologjinë dhe semantikën. Këto shkrime janë botuar për herë të parë më 1988, janë përfshirë në vëllimin “Vepra, pesë, të Nolit” të botuar në kujdesin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Të dy dorëshkrimet e Nolit janë në anglisht. Ato ndodhen edhe në AQSH (Fondi i XVII, dosja XIII), por mungojnë të dhënat plotësuese mbi kohëshkrimin të këtyre dy teksteve.

Ka mundësi që tekstet të jenë shkruar në fillim të viteve ’40 të shek.XX.

Në gjuhën shqipe i ka përkthyer Xhevat Lloshi.

Tekstet e Fan Nolit për gjuhësinë dhe sidomos për vëllimin e studimeve etimologjike janë të një niveli shkencor, Fan Noli operon me nocione të përpikta për nivelin bashkëkohor, të gjuhësisë botërore. Noli përmend 3 gjuhëtarë të mëdhenj: Herman Hirt (1865-1936), gjuhëtar gjerman i shkollës së gramatikantëve të rinj i cili ka shkruar në 7 vëllime “Gramatikën indoevropiane”.

Gjuhëtari i dytë është Antoine Meillet (Meje) (1866-1936), linguist francez, autor i “Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane”.

I treti është Holger Pedersen (1867-1953), gjuhëtar danez, indoevropianist, albanolog i madh. Ai u mor me studimin e gjuhës shqipe si në veprat “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe”, “Grykoret në gjuhën shqipe”.

Vepra e tij kryesore është “Gramatika gjuhësore gjuhëve kelte”.

Ajo që të bën përshtypje të madhe është fakti se të 3 këta linguistë portretizohen në mënyrë të koncentruar si tri prototipe ose tri pikëpamje.

Fan Noli thotë se në tre studiuesit e përmendur, Hirt është entuziasti, Pedersen është konservatori, dhe Meillet është Thomai që vë në dyshim gjithçka.

Hirt mendon se popujt indoevropianë trashëgojnë një numër të madh fjalësh të përbashkëta. Pedersen në mënyrë skeptike mendon që këto fjalë duhen reduktuar, nuk janë aq të shumta.

Meillet mendon se bërthama e përbashkët e fjalëve indoevropiane është aq e vogël dhe kuptimet e tyre janë aq të vagullta, sa është shumë e rrezikshme të nxirret në përgjithësi ndonjë përfundim i përcaktuar dhe i saktë shkencor.

Ajo që të bënë përshtypje në këto dy studime të Fan Nolit është që ai pamend një listë prej 35 fjalësh shqipe, të vështruara në lidhjet e tyre etimologjike brenda familjes indoevropiane.

Pikërisht këto fjalë shqipe që shqyrton Fan Noli, kanë të bëjnë me qytetërimin indoevropian dhe ndërthyerjen e aspektit të bujqësisë, blegtorisë, të mjeshtërive, të metaleve, të armëve, të tregtisë, të marrëdhënieve familjare, të besimit.

Një paraqitje të tillë objektivisht, sado e kufizuar në numër dhe artikuluar me një lakonizëm tejet profesional, hedh dritë në problemet e lashtësisë të popullit tonë, të etnogjenezës së tij, në qytetërimin indoevropian..

Në tekstet e Fan Nolit mund të gjenden dhe sythe të veçanta që kanë dhe shpjegime të karakterit krahasimtar semantik, por dhe të historisë të filozofisë.

Kështu Fan Noli ka një syth më vete kur flet për etimologjinë e fjalës “Cynic”, që në zanafillë ka qenë: si qen i trashë, i pagdhendur. Më pas mbiemri u kufizua vetëm për shkollën e filozofëve në Greqinë e lashtë të themeluar nga Antisteni i cili i çoi parimet e kësaj shkolle deri në aspektizimin dhe mizantropinë më ekstreme.

Kështu emri i filozofit Diogjen Cynic ka kuptimin Diogjen Qeni.

Një tjetër syth lidhet me etimologjinë historike të fjalës Logos.

Noli tregon që kuptimi universal i fjalës Logos është krejt i ndryshëm me atë që u dha më pas në kuptimin e “Fjalës” në Bibël.

Një tjetër syth i veçantë ku etimologjia dhe historia bëjnë një sintezë është ai që flet për origjinën e fjalës tragjedi. Kjo fjalë vjen nga greqishtja Tragos që do të thotë “Cjapi”, me të cilin simbolizohej satiri, një hymni gjysmë njeri dhe gjysmë cjap, shoku i Bakut, ose i Dionisit.

Kështu lidhja ndërmjet cjapit dhe tragjedisë, që fjalë për fjalë do të thotë “Cjapi ritual”, ose “Cjapi i himnit”, mund të kuptohet lehtë nga ata që janë shumë a pak të familjarizuar me fetë primitive totemistike.

Nga ky ritual lindi pastaj më vonë tragjedia letrare si letërsi e mirëfilltë.

Mund të shkruhet më gjatë dhe më hollësishëm për dy studimet e Fan Nolit.

Unë i përmenda në këtë rast për të treguar se çfarë interesi të madh do t’i kishin ngjallur pikërisht Eqrem Çabejit tekstet e Fan Nolit.

Pse e them një gjë të tillë?

E them sepse Eqrem Çabeji, gjatë gjithë jetës së tij të ndërlikuar dhe të përkushtuar në maksimum u mor me Fjalorin Etimologjik të Shqipes, që në fakt është botuar në disa vëllime.

Ky Fjalor është kryevepra linguistike e Çabejit, është monumenti mendor më i patjetërsueshëm i gjuhësisë shqiptare si shkollë dhe si një identitet universal, brenda gjuhësisë botërore.

Jam i sigurt që Eqrem Çabeji do t’i kushtonte vëmendje të veçantë studimeve të Nolit, po të kishte patur mundësinë e lume për të lexuar.

Por, dihet se kur tekstet e Nolit u botuan më 1988, Eqrem Çabeji kishte disa vjet, që kishte vdekur.

Pra kemi të bëjmë me një pamundësi në kohë dhe në procesin e njohjes.

Eseja e Eqrem Çabejit për Fan Noli është shumëpërfshirëse dhe ndërlidhëse me të tëra subjektet e dijes dhe pikat inkandeshente kulturologjike të qytetërimit shqiptar.

Të vlerësosh kaq madhërishëm figurën e Fan Nolit, siç ka bërë Eqrem Çabeji tregon edhe të vërtetën ,që një gjigant e njeh më mirë gjigantin tjetër, kurse liliputët e kanë të vështirë të arrijnë të gjejnë diçka, qoftë në dimensionim, qoftë në thellësi konceptuale. /Gazeta Dita/

Leave a Reply

x

Check Also

Francezët e dashuruar në fshatin shqiptar

Loading... Fshati Qeparo në Shqipëri, që është ...

Ndërron jetë regjisori i Rocky

Loading... John G. Avildsen, regjisor i Rocky ...